Teatri dhe Bibloteka e Tetovës në ngërç financiar, vetëm 1.6% e buxhetit të nevojshëm për vitin 2025

Maqedonia

Teatri dhe Bibloteka e Tetovës në ngërç financiar, vetëm 1.6% e buxhetit të nevojshëm për vitin 2025

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 09:28
Foto ilustrim

Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës për vitin 2025 u janë ndarë vetëm 15 milionë denarë, që i bie vetëm 1.6% e mjeteve të nevojshme për realizimin e projektit të objektit. Kjo do të thotë se, nëse Qeveria dhe Ministria e Kulturës ndajnë këto mjete çdo vit, Teatrit të Tetovës do t’i duhen plot 66 vite për t’u përfunduar. Ndërsa afati i dhënë nga ana e ministrisë, sipas kontratës, është fundi i vitit 2026.

Ushtruesi i detyrës i Qendrës për Kulturë në Tetovë, e cila menaxhon këtë projekt, thotë se deri më tani Ministria e Kulturës, nga viti 2021, ka ndarë vetëm 412 milionë denarë, ose rreth 30% të mjeteve të nevojshme.

“Duke e parë periudhën e përgjithshme jemi te 30% i buxhetimit për atë projekt. Shuma paraprake arrin përafërsisht diku 1 miliard denarë, 900 milionë denarë, ndërsa ministria kur duhet ta mbyllim këtë projekt ndanë për teatrin vetëm 15 milionë denarë që i bie diku 1.6% të asaj që duhet të jetë 100 %. Dmth për vitin 2025 janë paraparë vetëm 15 milionë denarë. Vetëm 15 milionë denarë një shumë qesharake simbolike. Që i bie se mungojnë një miliard denarë për kompletimin, buxhetimin, e atij projekti. Që do të thotë për vitin 2025-26 nëse duhet ta mbyllim atë projekt qeveria duhet të parasheh 500 milionë denarë, konkretisht për të dy vitet, dhe jo 500 milionë denarë, por qeveria ka paraparë 15 milionë denar ë, një shumë që i bije të mos realizohet”, tha Fatlind Ajdini – u.d drejtor i Pallatit të Kulturës.

Pyetëm në ministrinë e kulturës, por përgjigje nuk morëm.

Por, një nga arsyet e zvarritjes së ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekë, siç duket janë edhe keqpërdorimet për përfitime të paligjshme

Muaj më parë Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur padi penale kundër një kompanie dhe tre personave fizikë për keqpërdorime në ndërtimin e objektit. Sipas aktakuzës, në periudhën 2014-2020, pronari dhe menaxheri i kompanisë S.SH., në bashkëpunim me H.F., drejtorin e atëhershëm të Qendrës për Kulturë “Iljo Anteski-Smok” në Tetovë, dhe A.A., kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik dhe më pas ushtrues detyre i Qendrës së Kulturës, kanë manipuluar me rregulloret dhe procedurat e prokurimit publik. Ata dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke mundësuar përfitime të paligjshme për kompaninë e përfshirë, në vlerë prej mbi 832 milionë denarësh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat