BDI: Deri sa qeveria defokuson me stemën, vendi po shkon drejt izolimit

Maqedonia

BDI: Deri sa qeveria defokuson me stemën, vendi po shkon drejt izolimit

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 10:49
Foto ilustrim

Nga BDI thonë se qeveria me debatin për stemën po defokuson opinionin nga problemet reale me të cilën ballafaqohet vendi, siç janë kriza ekonomike dhe çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë elektrike, ndërsa vendi po shkon drejt izolimit.

“Familjet e zakonshme nuk mund të përballojnë më koston e jetesës, ndërsa qeveria vazhdon të merret me çështje të pavlera dhe debate të qëllimshme si ajo e stemës për të shmangur vëmendjen nga dështimet e saj.

Inflacioni i pakontrolluar ka shkatërruar fuqinë blerëse, qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për të siguruar nevojat bazë, por nuk marrin asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore për të lehtësuar barrën e qytetarëve që sot ndodhen në prag të mbijetesës.

Në vend që të merret me politikat e duhura për të përmirësuar jetën e njerëzve, qeveria po e zhyt vendin edhe më thellë në izolim.

Integrimi në Bashkimin Evropian është bllokuar dhe qeveria nuk ka asnjë strategji për ta zhbllokuar këtë proces. Ndërkohë që vendet e rajonit avancojnë, qytetarët tanë janë të detyruar të përballen me pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive.

Nëpër zyrat e pushtetit vazhdon luksi dhe indiferenca, ndërsa qytetarët nuk mund të përballojnë më as faturat e muajit të ardhshëm”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Kjo qeveri, theksojnë nga atje, ka zgjedhur të udhëheqë me propagandë dhe jo me veprime, duke e lënë vendin në krizë të thellë dhe duke manipuluar opinionin me tema të parëndësishme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat