Pas një hetimi të kryer, Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, sipas nenit 292, paragrafi 1, në lidhje me nenin 288, paragrafi 1, të Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit, në orët e para të mëngjesit të 13 nëntorit 2024, kanë shkaktuar zjarr në një kafene të vendosur në një ndërtesë banimi në rrugën “Hristo Tatarçev” në Shkup, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e banorëve. Përveç rrezikut për jetën e njerëzve, zjarri ka shkaktuar edhe dëme materiale në objekt, të vlerësuara në 362.161 denarë.
Hetimet kanë zbuluar se të akuzuarit kanë mbërritur pranë kafenesë me një makinë “Volkswagen Golf” me targa të Shkupit, e drejtuar nga njëri prej tyre. Dy të tjerët kanë zbritur nga automjeti, ku njëri ka thyer me sëpatë xhamin e rrëshqitshëm të lokalit, ndërsa tjetri ka përdorur benzinë për të ndezur zjarrin. Pas aktit kriminal, të tre janë larguar me automjet nga vendngjarja.
Rasti tashmë është dërguar në gjykatë, ku pritet të zhvillohet procesi gjyqësor ndaj të pandehurve.