Në dy ditë, dy herë në mes të ditës, në bregun e Strugës janë djegur kallamishtet, por sipas policisë ende nuk dihen autorët. Një herë përballë një objekti gastronomik kurse në rastin e dytë përballë një hoteli. Shumica e këtyre veprave në bregun e Strugës fillojnë të zhvillohen në këtë periudhë të vitit.
“Nuk ka të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga ekipi i njësisë zjarrfikëse territoriale nga Struga. Është kryer kontroll dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes”, thonë nga SPB Ohër.
Por djegia e kallamishteve të mbrojtura me ligj nuk është diçka e re për Strugën. Aktivistët civil ngrenë alarmin se ky është problem serioz që vazhdon prej vitesh dhe se në shumë raste pas çdo djegieje, në ato lokacione ndërtohen ndërtesa apo plazhe të reja.
“Ky nuk është problem aspak naiv, siç tregohet në publik, gjithmonë i mbuluar me argumente se është bërë nga autorë të panjohur, vandalë, apo fëmijë. Në asnjë rast nuk është kështu, sepse gjithmonë pas djegies së kallamishteve, bëhet tamponimi dhe shënjimi i asaj zone të djegur dhe më vonë ndërtohet diçka me karakter krejt tjetër”, tha Kosta Hiohi – aktivist civil dhe punonjës sporti.
“Nga ajo që mund të shohim dhe dëshmojmë vitet e fundit, kudo që fillimisht ka pasur djegie të kallamishteve, janë ngritur objekte, të cilat më së shpeshti janë të paligjshme. Gjithçka që merret si reagim është proceduar deri në Prokurori, por të gjitha proceset atje kanë ngecur. Tre vjet më parë ka ndodhur djegia e kallamishteve dhe tashmë në atë vend janë ngritur dy objekte”, u shpreh Nikolla Kukunesh- këshilltar i VMRO DPMNE-së.
Kallamishtet më së shpeshti digjen në shtegun nga Struga deri në fshatrat Kalishtë dhe Radozhdë. Aktivistët prej vitesh kërkojnë jo vetëm kallëzim penal, por edhe sanksione të rrepta për ata që janë përgjegjës direkt për djegien e kallamishteve në bregun e Strugës. Ata i bëjnë thirrje shtetit që të mos lejojë uzurpime të mëtejshme për qëllime private. Komuna e Strugës nuk është përgjigjur se çfarë planifikojnë të bëjnë për mbrojtjen e vijës së bregut të Strugës. Kallamishtet lidhen natyrshëm me liqenin e Ohrit dhe janë shumë të rëndësishëm për mbijetesën e shumë llojeve të kafshëve.