Nuk do të ketë punësime partiake, apo etnike për sa kohë që të jem unë kryeministër, deklaroi sot kryeministri, Hristijan Mickoski, lidhur me njoftimin e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti, se për një vit do të ketë punësime masive të shqiptarëve. Kryeministri, Hristijan Mickoski, sot tha se punësimet në vend do të bëhen në bazë të meritave e jo në bazë partiake apo të përkatësisë etnike.
“Një gjë të tillë nuk ka dhe nuk do të ketë derisa unë të jem kryetar i qeverisë. Ata do të punësohen dhe është mirë të punësohen njerëz që do të jenë kompetentë dhe që do t’i përgjigjen në mënyrë të duhur atyre punëve. Tani, ne nuk kemi nevojë të diskutojmë për çelësat partiakë, çelësat etnikë, e kemi thënë. Do të bëjmë një ligj që të ketë përfaqësim të drejtë, etnik, sepse ai që kanë bërë të mëparshmet është anuluar nga Gjykata Kushtetuese”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Lidhur me punësimin e shqiptarëve, Mexhiti, në një aktivitet partiak, kishte deklaruar se për një vit do të punësojnë aq shqiptarë sa kanë punësuar në dy mandate subjektet politike shqiptare në pushtetin e kaluar, referuar kjo BDI-së. Ndërsa sot në një postim të tij në Facebook, Mexhiti, njoftoi dhënien e 750 vendime punësimi për shqiptarët në shëndetësi.
Lidhur me deklaratat e fundit të Mexhitit, kanë reaguar edhe nga LSDM-ja duke shtuar se këto paralajmërime të punësimeve, ngrenë dyshime për ekzistencën e listave të përgatitura me emrat e kuadrove partiakë.
“Njoftimi skandaloz i zv.kryeministrit Mexhiti, ngre dyshime serioze për ekzistencën e listave tashmë të përgatitura me emrat e kuadrove partiakë “të përshtatshëm” që duhet të vendosen në sektorin publik. Është padyshim një marrëveshje politike mes VLEN-it dhe DPMNE-së, gjegjësisht Mickoskit dhe Mexhitit, për të mbushur me forcë administratën publike me njerëz të afërt me partitë në pushtet. Përpara zgjedhjeve vendore, qeveria përgatiti një mbushje të fuqishme të administratës me koka partiake, ndërsa njerëzit kompetentë dhe të rinjtë kanë mbetur pa asnjë shans”, tha Bogdanka Kuzeska – Zëdhënëse e LSDM-së.
Përplasjet për punësimet vazhdojnë prej ditësh. Mexhiti gjatë një aktiviteti të partisë ditë më parë tha se planifikohet punësimi i mijëra shqiptarëve. Por kjo u përcoll me reagimin e ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, i cili e porositi Mexhitin të mos sillet si “Liza në Botën e Çudirave”. Mexhiti si kundëreagim porositi Minçevin të mos sillet si kopja e Dimitar Apasievit.