Propozimi për shkarkimin e prokurorit Ljupço Kocevski nesër paraqitet në seancën e qeverisë

Maqedonia

Propozimi për shkarkimin e prokurorit Ljupço Kocevski nesër paraqitet në seancën e qeverisë

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 09:22
Ljupço Kocevski

Propozimi për shkarkimin e prokurorit të shtetit Ljupço Kocevski do të paraqitet nesër në seancën e qeverisë. Dje, kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për këtë temë, por edhe për interpelancat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, theksoi se dy procese janë paralele, procedura ka filluar dhe nuk ndalet.

“Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për të paraqitur se si do të vazhdojë procedura. Këtë do ta shqyrtojmë në seancën e qeverisë pasnesër. Procedura ka nisur, nuk ka asnjë ndalim. Le të shkojmë hap pas hapi. Pastaj radhën e ka Këshilli Gjyqësor, ato dy procese janë paralele, nuk janë në konflikt me njëri-tjetrin”, theksoi kryeministri pas kthimit nga SHBA.

Ministria e Drejtësisë do t’i listojë në dokumentin që po përgatit argumentet për shkarkimin dhe pasi ta miratojë Qeveria do t’i dërgohet për shqyrtim Këshillit të Prokurorëve Publikë. Arsyet për shkarkimin e prokurorit të shtetit janë reputacioni dhe funksionaliteti i dëmtuar i prokurorisë, veprimet e kundërligjshme dhe korrupsioni, ndikimi dhe joefikasiteti.

LSDM ka kërkuar që politika të lihet mënjanë dhe procesi të ecë në përputhje me ligjin. Së fundmi, prokurori Kocevski deklaroi se nëse konfirmohet se ka bërë shkelje disiplinore, do të japë dorëheqje nga pozita e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat