Për shkak të hedhjes së mbeturinave vend e pa vend, në disa lokacione në Saraj, përskaj Vardarit janë krijuar deponi të vogla. Qytetarët vet-kritik, thonë se mungon ndërgjegjësimi. Mbikëqyrje 24-orëshe nga inspektorët e mjedisit të Qytetit të Shkupit. Janë shqiptuar edhe disa gjoba.
“Nga kjo deponi, disa nga mbeturinat përfundojnë në lumin Vardar në këtë pjesë ndërsa disa të tjera që digjen, banorët të cilët janë afër kësaj deponie përballën me ajrin e ndotur këtu në komunën e Sarajit”, raporton Avni Tahiri, gazetar.
Banorët e anketuar nga Alsat thonë se mungon ndërgjegjësimi i qytetarëve të cilët hedhin mbeturina dhe ndotin ambientin ku jetojnë.
“Kur digjen mbeturinat a u pengon ajri i ndotur? Po, sigurisht që na pengon. Cila do ishte porosia juaj? Ja edhe këtu në këtë pjesë kanë hedhur por fshati Llokë tani ka organizuar që të vendosen pengesa që të mos hedhin mbeturina, këtu është edhe Vardari dhe është mëkat të hidhen këtu por njerëzit nuk janë të ndërgjegjshëm”, u shpreh një qytetar.
Inspektorati i mjedisor jetësor i Qytetit të Shkupit, gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm në Komunën e Sarajit, ka konstatuar një deponi të egër ku po digjen mbeturina të rrezikshme ndërsa vazhdon mbikëqyrja 24 orëshe në këtë vend. Sipas ushtruesit të detyrës kryetar i Sarajit, gjatë ditës së nesërme, inspektorëve të mjedisit do t’u bashkohen edhe inspektorë të komunës.
“Nga dita e nesërme, inspektorët tonë do të jenë në terren dhe do të jenë në bashkëpunim me inspektoratin e Qytetit të Shkupit, të dy ekipet do të jenë në terren dhe shpresojmë që kjo do të jetë një prej formave të parandalimit dhe eliminimit të deponive apo hedhjes së mbetjeve vend e pa vend”, deklaroi Ilas Vesel, kryetar i komunës së Sarajit.
Inspektorati i mjedisit thotë se vazhdimisht ngrenë kallëzime penale për hedhje dhe djegie të mbeturinave të rrezikshme dhe rrezikim të mjedisit jetësor përfshirë edhe autor për hedhjen e mbetjeve të rrezikshme kancerogjene. Javën e kaluar, inspektorët e mjedisit jetësor dhe inspektorët komunalë të qytetit të Shkupit kanë shqiptuar mbi 100 gjoba.