MPJ: Vendimi për rezolutën për Ukrainën nuk duhet të interpretohet si tërheqje apo ndryshim të qëndrimeve të shprehura më parë

Maqedonia

MPJ: Vendimi për rezolutën për Ukrainën nuk duhet të interpretohet si tërheqje apo ndryshim të qëndrimeve të shprehura më parë

Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

“Vendimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me mbështetjen dhe votimin për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara janë marrë në bazë të hulumtimit dhe analizës së plotë të lëvizjeve aktuale globale të politikës së jashtme, qëndrimeve të përcaktuara të aktorëve ndërkombëtarë me ndikim, angazhimit tonë për përforcimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në botë, si dhe interesit strategjik të shtetit për krijimin e një pozicioni të qëndrueshëm dhe ndërtimin e marrëdhënieve më të forta me partnerët tanë strategjikë”, informuan pasdite nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme në lidhje me Rezolutën për Ukrainën.

Prej aty potencojnë se janë marrë parasysh edhe angazhimet aktuale të forta të presidentit të SHBA-së dhe administratës amerikane për përfundimin më të shpejtë të aktiviteteve ushtarake midis Ukrainës dhe Federatës ruse, duke zhvilluar negociata efektive dhe të drejtpërdrejta, qëllimi kryesor i të cilave është arritja e paqes dhe sigurisë së përhershme në Ukrainë dhe në rajonin më gjerë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Vendimet e marra në lidhje me sponsorizimin dhe votimin tonë për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së nuk duhet të interpretohen si tërheqje ose ndryshim të qëndrimeve të shprehura më parë. Përkundrazi, me to, Republika e Maqedonisë së Veriut riafirmoi mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën dhe vazhdon të dënojë agresionin e Federatës ruse, në të njejtën kohë duke shprehur solidaritet dhe përgjegjësi të fortë ndaj popullit ukrainas dhe përpjekjeve të tij për të mbrojtur plotësisht integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë, lirinë dhe demokracinë”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Në këtë drejtim, nga Ministria kujtojnë se si në tre vitet e kaluara, edhe sot edhe në të ardhmen, Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet fuqimisht e lidhur me përpjekjet e përgjithshme të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për të arritur një ndërprerje sa më të shpejtë të armiqësive dhe për të siguruar një paqe të sigurtë dhe të qëndrueshme, si në Ukrainë, ashtu edhe në rajonin e gjërë dhe në botë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat