Marketet kanë 45 ditë afat, nga mesi i prillit duhet të publikojnë në ueb-faqe çmimet e produkteve

Maqedonia

Marketet kanë 45 ditë afat, nga mesi i prillit duhet të publikojnë në ueb-faqe çmimet e produkteve

Më: 28 shkurt 2025 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

Kuvendi i RMV-së miratoi ndryshimet ligjore dhe nga mesi i muajit prill publikimi i çmimeve në faqet e internetit do të jetë i detyrueshëm për shitësit e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël. Nga ky detyrim përjashtohen dyqanet e lagjeve dhe në dhjetë ditët e ardhshme do të publikohen rregulloret që do t’i rregullojnë ato.

Ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit do të publikohen këto ditë në Gazetën Zyrtare dhe supermarketet kanë 45 ditë kohë për të përgatitur dhe publikuar në ueb-faqet e tyre të gjitha çmimet e produkteve që kanë në dyqanet e tyre, tha në një konferencë për media”, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Me këto ndryshime ligjore presim transparencë më të madhe, konkurrencë më të mirë dhe çmime të reduktuara dhe qytetarët do të mund të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre dhe do të dinë se në cilin market dhe me çfarë çmimi shitet një produkt”, sqaroi Durmishi.

Durmishi kujtoi edhe vendimet e miratuara më parë të qeverisë që ngrinin marzhet bruto të 102 grupeve të produkteve bazë.

Këto dy masa do të zgjasin deri më 30 prill dhe vendimi për ngrirjen e marzhit bruto të fitimit në shitje me shumicë dhe pakicë përfshin 8 produkte ushqimore me 5 për qind, 55 produkte me 10 për qind dhe 39 produkte të tjera ushqimore me 15 për qind”, tha Durmishi.

Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren dhe inspektorët po veprojnë në përputhje me vendimin e qeverisë dhe deri në fund të kësaj jave do të kontrollohen 1000 subjekte tregtare në të gjithë vendin. Nëse veprojnë në kundërshtim me ligjin, gjobat variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro, duke përfshirë mbylljen e tregjeve deri në 30 ditë. Durmishi pret që me marzhe të ngrira, produktet do të kenë çmime më të ulëta deri në 10 për qind.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat