Përplasjet deklarative dhe akuzat për njëra tjetrën ndërmjet koalicionit VLEN dhe BDI-së, nuk ndalen as në muajin e shenjtë të Ramazanit. Nga VLEN thonë se BDI ka vetëm një mënyrë për të shmangur humbjen në zgjedhjet lokale, që sipas tyre, të bojkotojë zgjedhjet dhe të provokojë tensione në ditën e votimit, ndërsa për gjitha këto pohime, nga VLEN theksojnë se skenaristë është ish zv.kryeministri Artan Grubi.
“Ali Ahmeti vetë e pranoi nga Likova: BDI po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale! Çfarë tregon kjo? Që BDI nuk ka as ide, as program, as njerëz të rinj – por vetëm frikën nga shantazhi. Kjo parti, e cila për dy dekada i ka mbajtur shqiptarët peng me gënjeshtra dhe manipulime politike, sot është e kapur nga një klikë e zhytur në korrupsion dhe panik. Tani nuk vendos më as anëtarësia e saj dhe as votuesit – BDI komandohet me telekomandë nga i arratisuri Artan Grubi”, thonë nga VLEN.
VLEN pyet a është Artan Grubi autor i skenarit për bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe me çfarë po e mban peng Artan Grubi këtë kryesi të BDI-së.
Ndërkaq, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se VLEN është në panik pas skandaleve të korrupsionit, ndërsa për këtë siç thonë Integristët, shpifin për të mbuluar të vërtetën.
“Pas skandaleve ku zyrtarët e tyre u kapën në flagrancë për korrupsion, VLEN ka humbur kontrollin dhe po sillet si një anije pa busull. Në vend që të japin përgjigje për aferat ku janë përfshirë, tani shpikin teori absurde për të larguar vëmendjen nga skandalet e tyre. Një parti që ka zyrtarë të akuzuar për korrupsion dhe të përfshirë në afera të rënda nuk mund të flasë për të tjerët”, thonë nga BDI.
BDI akuzon se VLEN nuk ka më as ide, as vizion – vetëm panik dhe shpifje! Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor ose nëntor të këtij viti, ndërsa gara mes dy blloqeve polikive shqiptare ka nisur herët, madje në opinion kanë filluar të lakohen edhe emra të përvetshëm që do ti prijnë garës në komuna të caktuara, gjë që e bënë situatën më dinamike.