Ligji për përdorimin e gjuhëve, VLEN pret nga Kushtetuesja që të marr vendim në dobi të shqiptarëve

Maqedonia

Ligji për përdorimin e gjuhëve, VLEN pret nga Kushtetuesja që të marr vendim në dobi të shqiptarëve

Më: 10 mars 2025 Në ora: 16:54
Gjykata Kushtetuese

Bilall Kasami nga VLEN, në prag të seancës përgatitore të Gjykatës Kushtetuese e cila do të mbahet më 20 mars, thotë se Kushtetuesja nuk duhet të merret me politikë, ndërsa uron që vendimi përfundimtar për këtë ligj kaq të diskutueshëm të jetë në dobi të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.

“Uroj që Gjykata Kushtetuese të sjellë vendime në drejtim të orientimit për implementim të të njëjtit dhe sigurisht që ky ligj të jetë praktik dhe i implementueshëm dhe në interes të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera ashtu siç ka qenë edhe qëllimi i miratimit”, tha Bilall Kasami, VLEN.

Çështjen e vendimit të Kshtetueses për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, BDI-ja opozitare e ndërlidh me zgjedhjet lokale të tetorit. BDI paralajmëron krizë politike në rast se preket ligji.
“Unë kam bërë një prononcim me njerëzit, kam shumë takime me popullin dhe kam thënë në qoftë se preket Ligji i Gjuhës, nuk ka zgjedhje lokale dhe nuk mund të vendosen kuti për t’u mbajtur zgjedhjet lokale. Nëse preket Ligji i Gjuhës dhe Ligji i Gjuhës nuk është i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ligji i Gjuhës është edhe i atyre që do lindin, derisa të lind dielli”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI.

Megjithatë, ambasadorja amerikane Angela Aggeler i dha mbështetje punës së Gjykatës Kushtetuese pikërisht në kohën kur BDI-ja paralajmëron krizë politike. Të premten, në një vizitë në Gjykatën Kushtetuese, ajo i inkurajoi gjykatësit që të mos ndikohen, ndaj presioneve dhe trysnive. “Kur të hyni në seancë t’i leni me një anë të gjitha rolet tjera, ndërsa para se gjithash të jeni gjykatës kushtetues”, u ka thënë ambasadorja gjykatësve, sipas kumtesës së Gjykatës Kushtetuese.

Kjo nuk është hera e parë që detyrohen përfaqësuesit e huaj diplomatik të intervenojnë me qëllim të mos përshkallëzohet ndikimi i BDI-së në gjyqësor…Në janar të vitit 2024, në një takimi në katër sy, ambasadori holandez Dirk Jan Kop i dha dush të ftohtë kreut të integristëve Ali Ahmeti duke i tërhequr vërejtjen për rënien drastike të sundimit të ligjit për dy vite në vazhdimësi dhe ndalimin e menjëhershëm të presioneve politike ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi pasi një veprim i tillë do të nxiste reagim të fortë të Holandës si vend anëtar kyç që mund të vendos të ardhmen ne procesin negociues të Maqedonisë së Veriut me BE-në

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat