Në Pragë u zhvillua takimi i përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Çeke ku u dakorduan hapat për thellimin e bashkëpunimit bilateral në më shumë sektorë, kumtoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM).
Delegacioni i Maqedonisë u kryesua nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska e cila siç thuhet në komunikatë është e përkushtuar në mënyrë aktive për forcimin e lidhjeve ekonomike me Republikën Çeke dhe është duke iniciuar hapa konkret për tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit afarist mes dy vendeve. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjes, Aleksandar Nikollovski, si dhe një pjesë nga delegacioni, përfaqësues nga disa ministri dikasteriale, mbajtën takime paralele pune me kolegët çekë. Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin në energjetikë, transport, punë të brendshme dhe të jashtme, kulturë, mbrojtjen e mjedisit jetësor, bujqësi dhe sektorë të tjerë me interes të përbashkët.
Ministrja Bozhinovska, në fjalimin e saj para delegacioneve, potencoi gatishmërinë e Maqedonisë për t’i përkrahur investitorët çekë në realizimin e planeve të tyre të biznesit dhe për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm afarist me kushte të favorshme për investime.
“Maqedonia është e hapur për partneritete strategjike me kompanitë çeke, veçanërisht në energjetikë, infrastrukturë dhe prodhimin industrial. Maqedonia e sheh Republikën Çeke si një partner strategjik në energjetikë dhe industri. Vendi ynë ofron një ambient të qëndrueshëm investimi dhe rregullore të qarta për të mbrojtur bizneset. Njëkohësisht, ne po intensifikojmë reformat në sektorin e energjetikës për të siguruar një ekonomi moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese”, theksoi Bozhinovska.
Zëvendëskryeministri Nikollovski, potencoi se përmes takimeve të tilla të drejtpërdrejta me institucionet dhe kompanitë çeke hapen mundësi të reja për investime dhe partneritete.
“Jam i sigurt se ky bashkëpunim do të rezultojë me projekte konkrete. Maqedonia dhe Republika Çeke kanë një traditë të gjatë të bashkëpunimit dhe vendosja e një rruge të drejtpërdrejtë ajrore do të lehtësojë shkëmbimin ekonomik dhe turistik mes dy vendeve. Presim që kjo iniciativë të bëhet realitet së shpejti”, tha zëvendëskryeministri Nikollovski.
Përveç takimeve zyrtare, përfaqësues nga ministri dhe institucione të ndryshme zhvilluan vizita në terren, secili në kuadër të domenit të vet. Pjesë e delegacionit të Maqedonisë kanë qenë përfaqësues nga Elektroekonomia e Maqedonisë, Vera e Ohrit dhe Ministria e Kulturës, të cilët biseduan për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e energjetikës, shkëmbimeve kulturor dhe projekteve infrastrukturore.
Në kuadër të vizitës, Bozhinovska zhvilloi takim të veçantë edhe me zëvendësministrin e Industrisë dhe Tregtisë Jan Kavalirek, në të cilin u bisedua për mundësitë specifike për shkëmbim të përvojave dhe ndihmë në ekspertizë.
Vizita zyrtare në Çeki u përmbyll me nënshkrimin e protokollit nga sesioni i tretë i komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës Çeke i cili ka për qëllim inicimin e projekteve konkrete, thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe realizimin e iniciativave të përbashkëta”, thuhet në kumtesën e MEMBM.