Qeveria, në seancën e sotme, miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mediat, me të cilin portalet online do të njihen si media, njofton shërbimi për shtyp i qeverisë.
Nga atje shtojnë se projektligji synon të forcojë konkurrencën në hapësirën mediatike dhe të zgjidhë problemet ekzistuese me portalet online, përmes vendosjes së një kornize ligjore që i njeh ato si të tilla, si dhe krijimin e rregullave të qarta për themelimin dhe regjistrimin e tyre.
“Duke pasur parasysh faktin se rezultatet e hulumtimeve të fundit tregojnë se mbi 70 për qind e publikut informohet në internet, gjë që e bën median online një faktor të rëndësishëm në hapësirën mediatike, u shfaq nevoja për përfshirjen e tyre në Ligjin për mediat, çka do të kontribuojë edhe në nxitjen më intensive të vetë-rregullimit si një segment i rëndësishëm për punën profesionale të gazetarëve dhe për forcimin e konkurrencës në hapësirën mediatike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndryshe, portalet informative në internet nuk janë të njohura si media në legjislacionin e Maqedonisë. Po ashtu, nuk është e përcaktuar se çfarë është një portal interneti, megjithëse këto media, herë pas here marrin fonde nga shteti, si për shembull për reklama politike gjatë zgjedhjeve.