Këngëtarja kosovare-britanike Dua Lipa e ka pranuar virtualisht çmimin në “Billboard Women in Music” nga njëri prej heronjve të saj, politikani amerikan Bernie Sanders.
Interpretuesja e këngës “The New Rules” e hapi mbrëmjen gala të së enjtes vonë, me një perfomancë mbresëlënëse të “Boys Will Be Boys”, para se ta pranonte zyrtarisht çmimin “Women in Music Powerhouse”, i cili u jepet çdo vit atyre që e kanë dominuar skenën muzikore me shpërndarje të këngëve, shitje të albumeve dhe transmetime në radio.
Teksa po ia ndante çmimin, në një ceremoni të organizuar në mënyrë virtuale shkaku i pandemisë COVID-19, senatori Sanders e cilësoi Lipën si një këngëtare që lufton për të rinjtë, gratë, refugjatët dhe komunitetin LGBT.
“Ajo po e përdor platformën e saj për t’i sjellë njerëzit kah procesi demokratik. Po e ngre zërin për të kërkuar ndryshime të vërteta”, ka thënë Sanders.
Me ta pranuar trofeun e saj, Dua e përshkroi Sandersin si “heroin e saj personal” dhe tha se është shumë e lumtur që u njoh për solidaritetin me “koleget e saj dhe gratë në të gjithë botën”.
“Jemi ende shumë larg për ta arritur barazinë e vërtetë”, ka thënë ajo, pasi e shpalosi hendekun gjinor dhe atë racor midis producentëve të këngëve të “Billboard Hot 100”.
“Le të vazhdojmë të festojmë për gratë dhe le të vazhdojmë t’i trimërojmë të gjitha vajzat e reja, në mënyrë që të jenë fuqitë e së ardhmes”, ka përfunduar Lipa.