Kate Middleton do të bëhet sërish teze! Sipas People, Page Six dhe Entertainment Tonight, motra e vogël e Kate, Pippa Middleton është shtatzënë... kjo do të thotë se Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis do të bëhen me një kushëri tjetër. Ndërsa Pippa dhe burri i saj, James Matthews, nuk mund të ishin më të lumtur për lajmin.
"Pippa dhe James janë të entuziazmuar, është një lajm fantastik mes një viti të vështirë. E gjithë familja është e lumtur", -tha një burim për Page Six.
Pippa dhe James u bënë prindër për herë të parë më 15 tetor të vitit 2018, kur Pippa lindi djalin e tyre, Arthur. Njësoj si Kate, Pippa lindi në Lindo Wing të Spitalit të Shën Mërisë.
Pippa është zakonisht mjaft e rezervuar për jetën familjare të saj dhe James, por ajo vendosi t'u japë fansave të saj disa detaje për sa i përket rritjes së Arthur, në një intervistë në prill të 2019-ës me revistën Waitrose Kitchen. Gjatë intervistës ajo zbuloi se i ka mësuar të birit not që kur ishte katër muajsh dhe gjithashtu e çoi atë në një palestër për fëmijë.
"T’i mësoja djalit tim Arthur të notojë kur ishte katër muajsh i ka dhënë atij besim dhe kënaqësi në ujë," -tha Pippa në atë kohë. "Ai tani është gjashtë muajsh dhe noti është një nga aktivitetet tona të preferuara. Ushtrimi ndihmon në garantimin e gjumit të ditës dhe lëvizja ka përmirësuar tretjen e tij."
Pippa dhe James nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare për lajmin e shtatzënisë së dytë.