Aktori i njohur hollywoodian, Brad Pitt, do ta kalojë një pjesë të festave të fundvitit me tre fëmijët e tij biologjik, Shiloh, Knox dhe Vivienne, pavarësisht betejës së ashpër ligjore rreth kujdestarisë së fëmijëve, me ish-bashkëshorten e tij Angelina Jolie.
Sidoqoftë, vizita e aktorit me fëmijët e tij do të jetë e limituar me ç’rast do të kenë mundësi të festojnë së bashku, vetëm në natën e Krishtlindjeve.
Një burim i afërt i aktorit ka treguar që derisa Pitt dhe Jolie kishin raporte të mira mes vete, ai kishte planifikuar t’i kalojë festat e fundvitit me komplet familjen, por tani gjërat kanë ndryshuar.
“Brad dhe Angelina janë që të dy përgjegjës për dramat e pafundme mes tyre. Dhe fatkeqësisht fëmijët janë ata që po i vuajnë më së shumti pasojat”, citohet të ketë thënë ky burim.
Këtë vit pandemia e koronavirusit e ka penguar dukshëm udhëtimin e Angelinas anembanë globit. Sipas “Us Weekly” aktorja tani ndihet më e kufizuar t’i vizitojë shtetet e ndryshme, për angazhimet e saj në fushën e bamirësisë, kjo ngase e ka më të vështirë të largohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi i duhet leja e ish-bashkëshortit për t’i dërguar fëmijët jashtë shtetit.
57-vjeçari Pitt dhe 45-vjeçarja Jolie, janë të përfshirë në një betejë të vazhdueshme ligjore rreth kujdestarisë së fëmijëve, nga prilli i vitit 2019 kur edhe e finalizuan shkurorëzimin e tyre. Jolie kishte bërë kërkesë për shkurorëzim qysh në shtator të 2016-s.
Përveç vajzës Shiloh dhe binjakëve, Knox dhe Vivienne, dyshja po lufton për kujdestarinë edhe të dy fëmijëve tjerë të adoptuar, Pax dhe Zahara. Djali i madh i tyre, Maddox, tashmë është 19-vjeçar dhe ligjërisht konsiderohet i rritur.