Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, njoftoi të dielën se ishte rindërtuar njëra prej shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ajo bëri një postim në rrjete sociale ku solli pamje para dhe pas ndërtimit të shtëpisë në fshatin Bubq, madje tregoi se ishte shumë e lumtur për këtë.
Një reagim rreth kësaj e ka bërë edhe artistja Xhensila Myrtezaj, e cila falënderoi Beben për veprimin e jashtëzakonshëm.
“Faleminderit Bebe. Zoti të bekoftë. Nga lotët e dhimbjes në lot gëzimi për këtë familje vetëm prej dashurisë tënde. E lumtur sa zemra e tyre qofsh për gjithë jetën”, ka shkruar Myrtezaj.
Bebe gjatë vizitës në Shqipëri vitin e kaluar premtoi se do të rindërtojë dy shtëpi, njëra tashmë është realizuar.