Reperi dhe producenti amerikan Dr Dre ka dalë nga spitali pasi u kurua për aneurizëm të trurit.
BBC raporton se një prej avokatëve të yllit 55 vjeçar, tha se këngëtari ishte kthyer në shtëpi, pa dhënë detaje të tjera.
TMZ raportoi më 5 janar se Dr Dre ishte dërguar në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Angeles.
Ekipi i Dr Dre më vonë lëshoi një deklaratë duke thënë se reperi, emri i vërtetë i të cilit është Andre Romelle Young, ishte në një gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
“Faleminderit familjes, miqve dhe fansave të mi për interesin dhe lutjet e tyre. Unë po bëhem shumë mirë dhe po marr kujdes të shkëlqyeshëm nga ekipi im mjekësor,“- shkruhej në një postim në Instagramin e tij. “Do të dal nga spitali dhe do kthehem së shpejti në shtëpi.”
Aneurizma është zgjerimi i një arterie të shkaktuar nga dobësimi i murit të enës së gjakut.