Përdhunim, rrahje dhe tortura- pesë gra akuzojnë muzikantin Marilyn Manson për abuzime të tmerrshme seksuale, teksa shtojnë se veprimet e tij të dhunshme kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shëndetin e tyre mendor. Prej ditësh, Manson përflitet se ka kërcënuar dhe detyruar Ashley Walters-in, Sarah McNeilly-n, Ashley Lindsay Morgan-in dhe një grua me emrin, Gabriella, të kryejnë marrëdhënie seksuale me të.
Po kështu, lista e të dhunuarave vazhdon me ish të fejuarën e tij, Evan Rachel Wood, e cila deklaroi se Marilyn ka abuzuar me të ndër vite dhe e ka manipuluar. Së fundmi, edhe 26-vjeçarja Phoebe Bridgers, përmes disa postimeve në Twitter ka zbuluar detaje që përforcojnë akuzat ndaj këngëtarit për akte të dhunshme seksuale, teksa përmend një “dhomë përdhunimi”.
“Shkova në shtëpinë e Marilyn Manson-it kur isha adoleshente, me disa miq. Isha fanse e madhe e tij. Ai i referohej një prej dhomave në shtëpinë e tij si “dhoma e përdhunimit. Atëherë, ndalova së qenuri fansja e tij”.
Më herët erdhi një reagim nga vetë i akuzuari, i cili hodhi poshtë gjithçka:
“Padyshim, jeta ime dhe arti im kanë qenë prej kohësh magnet për polemikë, por këto pretendime të fundit rreth meje janë shtrembërime të tmerrshme të realitetit. Marrëdhëniet e mia intime kanë qenë gjithmonë konsensuale, me partnere që mendojnë njësoj si unë”.