Përmes një shkëlqimi verbues që shkaktonte unaza në gishtin e saj, ylli australian i muzikës, Kylie Minogue konfirmoi se është zyrtarisht e fejuar me partnerin e saj, Paul Solomons. Ishte vetë 52-vjeçarja që përmes një postimi në Instagram lejoi të dukej dora e saj e majtë dhe unaza domethënëse.
Kylie dhe 46-vjeçari Paul, drejtori i “GQ Magazine” e nisën romancën e tyre në vitin 2018, teksa muajt e fundit përflitej se çifti është gati për kurorëzimin e dashurisë!
Ishte njerka e tij, Gloria, e martuar me të atin e Paul-it prej 41 vitesh, ajo e cila tepër e emocionuar tregoi për “MailOnline” se ata po planifikojnë të martohen.
Duket se pas vështirësive të kaluara vitet e fundit, ikona e pop-it është gati për një kapitull të ri, e mbi të gjitha të lumtur. Në vitin 2005, kanceri në gji do t’i ndryshonte totalisht jetën Kylie-t.
“Isha 36 kur u diagnostikova. Të themi të drejtën, ishte tashmë vonë për shumë gjëra”, u shpreh ajo në 2019-ën për “Sunday Times Style”.
Lidhur me dëshirën për të patur fëmijë, Minogue do të deklaronte:
“Ndonëse atë kohë s’e kisha në mendje, gjithçka ndryshoi”.
Dhe teksa tentonte të mbetej kurdoherë pozitive, artistja nuk mundi të mos thoshte se në mendjen e saj, kishte shumë “sikur-e”.
“Nuk dua ta mbaj mendjen aty, sigurisht, por e vras mendjen se si do të ishte. Njerëzit mund të thonë se ka plot mënyra, por nuk e di”.