Kompania “Lucasfilm” ka bërë të ditur të enjten se Gina Carano nuk do të jetë më pjesë e kastës së “The Mandalorian”, pasi që shumë persona kanë bërë thirrje në rrjetet online për shkarkimin e saj shkaku i një postimi në rrjetet sociale, ku ajo e ndërlidh eksperiencën e hebrenjve gjatë Holokaustit me klimën politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një zëdhënës i kompanisë së produksionit ka njoftuar se Carano nuk është e punësuar e “Lucasfilm” dhe se kompania “nuk ka plane për angazhimin e saj në të ardhmen”.
“Postimet e saja në rrjete sociale që i denigrojnë njerëzit në bazë të identiteteve të tyre kulturore dhe religjioze janë të neveritshme dhe të papranueshme”, thuhej në një njoftim të kompanisë.
Carano është përballur me kritika të ashpra, pas postimit të saj, në të cilin thuhet se “hebrenjtë ishin rrahur nëpër rrugë, jo nga ushtarët nazistë, por nga fqinjët e tyre... madje nga fëmijët”.
Në vazhdim të postimit, aktroja ka shkruar gjithashtu: “Për shkak se historia është ndryshuar, shumica e njerëzve sot nuk e kuptojnë që për të arritur deri në pikë kur ushtarët nazistë mundeshin lehtësisht t’i grumbullonin me mijëra hebrenj, Qeveria së pari i nxiti fqinjët e tyre që t’i urrejnë, thjesht për shkak se ishin hebrenj. Si është kjo më ndryshe prej të urryerit të dikujt për shkak të pikëpamjeve politike?”.
Carano, e cila e ka portretizuar karakterin periodik të Cara Dunes në seritë “Star Wars”, e kishte fshirë postimin, por ai veçse ishte shpërndarë në rrjetet online dhe kishte nxitur nisjen e hashtagut #FireGinaCarano. Karakteri i saj ishte paraqitur në disa episode të sezonit të dytë të “The Mandalorian”, një seri kjo që flet për një gjuetar çmimesh dhe rrugëtimin e tij për ta bashkuar një përdorues të fuqishëm dhe të ri të “The Force”.
Dune, e cila në sezonin e dytë është një zyrtare ligjore në një planet të largët, vazhdimisht bashkëpunon me kryepersonazhin për t’i luftuar armiqtë e vjetër: të mbijetuarit e Mbretërisë së lig Galaktike.
Carano, karakteri i së cilës, Dune, vazhdimisht ka përdorur armë të rënda dhe grushte për t’i mundur armiqtë, ishte kritikuar edhe për postimet e saja në mediat sociale kundër bartjes së maskave gjatë pandemisë, si dhe për mashtrimet me vota gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2020-s. Ajo ishte tallur po ashtu me përdorimin e përemrave gjinorë.