Shoqja e ngushtë u nda nga jeta tragjikisht, Adel Lami e përlotur: Sot kërcej për të dyja

Mediale Vip

Shoqja e ngushtë u nda nga jeta tragjikisht, Adel Lami e përlotur: Sot kërcej për të dyja

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 23:55
Adel Lami

Ka qenë një mbrëmje emocionuese sonte në “E ardhmja është vajzë”, teksa në programin e së mërkurës ishin përballë njëra-tjetrës Adel Lami dhe psikologia Enertila Bekteshi. Ndër të tjera, vajzat rrëfyen për moderatoren dhe autoren Ermira Çausholli një histori të vështirë që kanë kaluar në jetën e tyre, tashmë traditë në rubrikën “Në mundsh”.

Adel zgjodhi që në këtë pjesë të tregonte një histori që nuk e ndan shpesh, pothuajse asnjëherë me të tjerët, dhe nga e cila nuk ka arritur të “shërohet” dot, pavarësisht se vitet kalojnë. Balerina e njohur rrëfeu për kohën kur ishte ende në universitet, në prag të debutimit në “Dancing With the Stars” kur kishte marrë vesh që shoqja e saj e ngushtë ishte shtruar në spital.

Ndërsa Adel kishte shkuar për të kuptuar se ç’kishte ndodhur, motra e mikeshës së saj e kishte njoftuar se ajo kishte ndërruar jetë. Mes lotësh balerina tregoi se vdekja e shoqes së saj i ka shkaktuar shumë dhimbje pasi ajo kreu vetëvrasje dhe kjo ka lënë gjurmë në jetën e saj.

“Për vite me radhë pas kësaj, kam studiuar dhe kam lexuar se si mund të evitohet një gjë e tillë. Ndihesha pafund fajtore, jo vetëm për mua qe kisha dështuar si shoqe, por për të gjithë që na rrethonin. Nisa të kisha një mllef me botën dhe si nuk e kuptuam këtë. Ajo ishte e mërzitur sepse shoqet e saj kishin nisur punë në televizione të ndryshme, ndërsa ajo nuk po mundej. Ne kishim sakrifikuar shumë dhe ajo donte që puna e saj të shpërblehej, ishte e shqetësuar sepse donte të kërcente, të ngjitej në skenë.

Unë përpiqesha t’i thoja të mos shqetësohej, megjithatë nuk e mendoja kurrë që do të shkonte deri aty. Mendoja që kur do mbaroja angazhimet do ta merrja më shpesh, do ta ndihmoja, por nuk e dija që nuk kisha më kohë. Ka qenë një ditë e vështirë, pasi në mëngjes unë humba mikeshën time më të mirë, ndërsa në darkë duhet të kërceja dhe të qeshja për publikun në televizion.” tha Adel ndër të tjera.

Balerina u shpreh se sot e kësaj dite, kur kërcen, kërcen për të dyja dhe familjen e saj e ka si familjen e vet. Këtë histori Lami e shfrytëzoi gjithashtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë, sidomos në kohërat që jetojmë, ku rrjetet sociale mund të ndikojnë shumë në mendjet e njerëzve, ndërsa tha se ata duhet ta duan veten sa më shumë të komunikojnë në mënyrë që t’i zgjidhin të gjitha vështirësitë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat