Ndërron jetë këngëtarja e famshme italiane, Milva. Mesazhi i saj i fundit në Facebook

Mediale Vip

Ndërron jetë këngëtarja e famshme italiane, Milva. Mesazhi i saj i fundit në Facebook

Më: 25 prill 2021 Në ora: 19:10
Milva

Ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare këngëtarja e famshme italiane, Milva. Ajo vdiq dje në Milano dhe lajmin e ka konfirmuar vajza e saj, Martina Corgnati, për ANSA, duke shpjeguar se nëna e saj kishte qenë e sëmurë prej disa kohësh. Këngëtarja dhe aktorja e madhe, emri i vërtetë i së cilës ishte Ilvia Maria Biolcati, jetonte në Milano me sekretaren e saj të besuar, Edith dhe me të bijën Martina, një kritike arti.

Milva njihej me nofkën "La Rossa" për ngjyrën e kuqe të flokëve të saj. Ajo ka shkelur skenat në të gjithë botën duke bërë më shumë se 60 albume.

E lindur në Goro, Emilia Romagna, më 17 korrik 1939, gjatë karrierës së saj ajo ka marrë pjesë 15 herë në Festivalin e Sanremos, një rekord i pjesëmarrjeve që ajo e mban së bashku me Peppino Di Capri, Toto Cutugno dhe Al Bano.

Në vitin 2010, pasi nxori albumin e tretë të shkruar dhe prodhuar për të nga Franco Battiato, me titull 'Non conosco nessun Patrizio', menjëherë u bë një nga 20 albumet më të shitura duke thyer rekorde në Itali. Ky album njoftoi edhe lamtumirën e saj në skenë, pas gjysmë shekulli karrierë.

Familja aktualisht po organizon lamtumirën e fundit dhe funerali do të mbahet privat.

Një muaj më parë, më 26 mars, Milva mori vaksinën e koronavirusit, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm për të gjithë.

"Unë vaksinohem, sepse kujdesem për jetën time dhe të të tjerëve", shkroi ajo në faqen e saj në Facebook, "Bëjeni edhe ju. Duhet t’i kthehemi jetës së mëparshme, dhe të përqafojmë të dashurit tanë. Së bashku ne mund t’ia dalim për ta mposhtur këtë virus”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat