Rrjeti televiziv amerikan NBC ndaloi transmetimin e ceremonisë së “Golden Globes” në 2022 pas një reagimi nga Hollywood për etikën e jurisë që shpërndan çmimet vjetore të filmit dhe televizionit dhe mungesën e diversitetit.
Tom Cruise është një ndër aktorët që bashkohet me bojkotin që i bëhet akademisë “Golden Globe”, madje ka kthyer tre statujat e Globit të Artë që fitoi për rolet e tij në “Jerry Maguire”, “Magnolia” dhe “Born on the Fourth of July”, raportojnë “Variety” dhe “Deadline Hollywood”.
Vendimi i NBC erdhi gjithashtu pasi Shoqata e Shtypit të Huaj e Hollywood (HFPA), e cila shpërndan çmimet, ra dakord të rekrutonte më shumë anëtarë me ngjyrë dhe të bënte ndryshime të tjera gjatë 18 muajve të ardhshëm. Rrjeti televiziv fillimisht e mirëpriti planin, por më vonë tha se do të presë për të parë nëse reformat do të funksionojnë.
Anëtarët e HFPA janë akuzuar gjithashtu për bërjen e deklaratave seksiste dhe raciste si dhe marrjen e favoreve nga të famshëm dhe studiot kinematografike.
“Një ndryshim i kësaj madhësie kërkon kohë dhe punë dhe ne besojmë fuqimisht se HFPA ka nevojë për kohë për ta bërë atë në mënyrën e duhur. Televizioni NBC nuk do të transmetojë Golden Globe 2022“, u shpreh përmes një deklarate.