Urdhërarrest për këngëtarin e muzikës rock

Mediale Vip

Urdhërarrest për këngëtarin e muzikës rock

Më: 26 maj 2021 Në ora: 16:47
Marilyn Manson

Policia në shtetin amerikan New Hampshire e konfirmoi të martën se kanë lëshuar një urdhërarrest për yllin e muzikës rock, Marilyn Manson, në lidhje me akuzat për sulm.

Sulmet e pretenduara e përfshijnë një videograf, bëri të ditur policia, duke shtuar se Manson, agjenti i tij dhe këshilltarët ligjorë, për ca kohë kishin qenë në dijeni të këtij urdhërarresti dhe deri më tani nuk është bërë asnjë përpjekje nga këngëtari për t’u kthyer në New Hampshire, dhe për t’iu përgjigjur akuzave.

Zëdhënësit e Mansonit nuk qenë të gatshëm për koment rreth kësaj çështjeje.

Sipas policisë, sulmi i supozuar ka ndodhur në gusht të vitit 2019 në amfiteatrin, “Bank of New Hampshire Pavilion”, ku Manson po e mbante një koncert muzikor. Akuzuesi i këngëtarit i cili me profesion është videograf, ishte nënkontraktuar nga një kompani me bazë në New Hampshire për ta xhiruar koncertin, dhe ishte vendosur në zonën e skenës ku Manson po performonte. Nuk janë dhënë më shumë detaje rreth rastit dhe arsyes që e ka bërë muzikantin ta sulmojë viktimën.

Një kundërvajtje e klasës A në New Hampshire mund të mbajë dënim të mundshëm me burg deri në një vit, dhe një gjobë deri në 2,000 dollarë.

Marilyn Manson vazhdon të përballet me një sërë problemesh ligjore.

Rokeri i famshëm së fundmi është përfshirë në disa hetime për dhunë ndaj ish të dashurave të tij, të cilat besohet të kenë ndodhur përgjatë vjetëve.

Aktorja Evan Rachel Wood dhe tri gra të tjera, në muajin shkurt i pushtuan rrjetet sociale me postime, me ç’rast pretenduan se Mansoni i ka abuzuar seksualisht dhe fizikisht. Pas këtyre akuzave, këngëtari u pushua në studioja incizuese me të cilën kishte bashkëpunuar disa vjet.

Këngëtari dhe kantautori Marilyn Manson shquhet për veshjet e tij të zeza të frymëzuara nga stili gotik, dhe grimin e rëndë dhe të frikshëm. Disa prej hiteve të tij më të njohura janë, “The Dope Show” dhe “Personal Jesus”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat