Matthew McConaughey po mendon për karrierë në politikë, por vetëm nëse do t’ua përmirësonte jetën njerëzve. Aktori 51-vjeçar, gjatë një interviste të enjten në emisionin “The Carlos Watson Show”, ka folur në lidhje me dëshirën e tij për të bërë ndryshime të qëndrueshme.
Ndonëse aktori më parë ishte larguar nga politika, tani mendon që të kandidojë për guvernator të Teksasit.
Në intervistë, McConaughey e pranoi se dëshironte t’i hynte politikës vetëm nëse do të mund t’i trajtonte problemet e kamotshme të qytetarëve.
“Nuk jam i interesuar të shkoj dhe t’i mbyll disa vrima të cilat do të hapen sapo të kryhet misioni im. Jam i interesuar të ndërtoj diçka që mund të zgjasë dhe po e mati se çfarë kategorie është. Nuk e di nëse kjo gjë është politikë”, ka thënë ai.
Watson më pas e ka pyetur fituesin e çmimit “Oscar” nëse kishte “të drejtë kushtetuese” për të mbajtur qëndrime sfiduese dhe për të dalë kundër një kundërshtari.
“U besoj mjaftueshëm qëndrimeve të mia thelbësore dhe vlerave të mia, sa të ndihem rehat duke e dëgjuar një kundërshtar”, është përgjigjur ai. “Ne përpiqemi t'ua mësojmë fëmijëve tanë kënaqësinë e vonuar, por nuk na pëlqen të mendojmë më larg se nesër – kemi nevojë për rezultate të menjëhershme”.
Ai i ka kritikuar politikanët e dikurshëm dhe aktualë për përqendrimin vetëm te fitimet afatshkurtra, në vend se të rrezikojnë për fitime më të mëdha dhe afatgjata. “Çfarë bëjnë liderët dhe politikanët aktualë që dalin në pah më vonë pasi të jenë larguar? Kurrë nuk marrin merita për to”, ka vazhduar ai. “Duhet të sakrifikojmë për shpërblime më të mëdha”, ka shtuar ai.
McConaughey nuk ka qenë gjithmonë i interesuar për të hyrë në botën e politikës. Në nëntor ai i kishte thënë Stephen Colbertit se ishte më i përqendruar në ndikimin që mund të bënte në shoqëri nëpërmes gjërave të tjera. "Nuk kam ndërmend të bëj diçka të tillë tani. Kjo është në dorën e shumë njerëzve të tjerë”, kishte thënë ai.