Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar sot në 22-vjetorin e vrasjes anëtarët e grupit MAK, vokalisti Haki Misini dhe bateristi Mehmet Tupella, në vitin 1998-1999 në qytetin e Mitrovicës, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se trupi i këngëtarit Haki Misini u gjet në Suhodoll të Mitrovicës në vitin 2005, ndërsa Mehmet Tupella ende rezulton i zhdukur, ndërsa trishtimin që përjetoi familja e shpjegon në një dokumentar edhe Urimi, djali i Haki Misinit.
Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi.
Grupi “MAK”, konsiderohet ndër grupet me krijimtari të mirëfilltë e të pasur të rok muzikës në Kosovë me merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vendin tonë.
Këngët e Hakiut vazhdojnë të interpretohen edhe sot nga artistë të ndryshëm, si “Moj e mira te pojata”, “Në syrin tënd pash një lot”, “Idila verore”, “Tri gota”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, dhe shumë të tjera.