Lisa Banes, e njohur më së shumti për rolin e saj në filmin “Gone Girl” ka ndërruar jetë pasi u përplas nga një motor në New York pak ditë më parë. 65-vjeçarja pësoi një traumë të rëndë në kokë pasi u godit nga një skuter elektrik me 4 qershor.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar menaxheri i saj, David Williams në një deklaratë.
“Ajo ishte një grua dashamirëse dhe bujare, e përkushtuar ndaj punës së saj, qoftë në skenë apo jashtë saj dhe aq më tepër ndaj gruas, familjes dhe miqve të saj. Ishim të bekuar që e kishim në jetën tonë.”
Aktorja qëndroi për disa ditë në gjendje kritike në spitalin Mount Sinai Morningside. Banes e filloi karrierën e saj të aktrimit në vitet 1980. Ajo luajti së bashku me Tom Cruise në filmin “Cocktail” të vitit 1988 dhe Marybeth Elliott, në filmin “Gone Girl” të vitit 2014.