Dita e Baballarëve shënohet në të dielën e tretë të muajit qershor në SHBA.
Urime të shumta e dedikime emocionale janë bërë sot për njeriun e veçantë në jetën e secilit prej nesh, babain.
Në këtë ditë nuk munguan as postimet e shumta në rrjete sociale të fytyrave publike, që zgjodhën fjalët më të mira për të uruar baballarët.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari përmes një postimi në Facebook i ka dërguar babait të saj një falenderim publik.
Shkrimi i plotë:
“E diela e tretë e Qershorit shënon në SHBA dhe në 111 shtete tjera ditën e Baballarëve. Shënim ky që njeh dashurinë dhe angazhimin në lidhjen prindërore të fëmiut me Babain.
Pashmangshëm sot reflektoj në mbështetjen, besimin dhe kujdesin e Babit për ne tri vajzat e tij dhe djalin. Ai ishte i vetëdijshëm se sfida e tij kryesore ishte me vajzat, të rriteshin, të shkolloheshin dhe të ishin të pavarura në jetë.
Kur më erdhi koha e studimeve, Babi më tha: më e rëndësishmja për mua është edukimi dhe pavarësia e vajzave të mia. Nuk kam brengë kur martoheni, por dua të di që jeni të pavarura dhe të zonjat e vetes.
Sot gati 30 vite pas e shoh se ende vajzat kanë nevojë për mbështetje dhe mësim për të qenë të pavarura dhe të zonjat e vetes.
Sot në ditën e Baballarëve, ne tri vajzat tuaja dhe djali, ia dolëm të jemi të pavarur dhe ty Babi të falenderojmë për kujdesin, dashurinë dhe besimin që e jape gjithë këto vite për ne.
Gëzuar dita e Babait!”