Ka një këngë në repertorin e artistes Eranda Libohova të cilën ajo do të donte të mos e kishte realizuar sepse thjesht nuk i pëlqen.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e artistëve që pyetjes se cilën nga krijimet e tyre do të veçonin i përgjigjen me ‘i kam si gishtat e dorës’, për Erandën nuk është apak kështu.
Këngëtarja e njohur i veçon krijimet e saj që ç’ke me të, madje për njërën prej tyre mendon se do të ishte shumë mirë nëse nuk do ta kishte kënduar, duke e cilësuar si ‘këngë koti’.
“Po, ka një këngë që jam penduar që e kam kënduar dhe jam munduar ta fshij nga repertori publik. Mund ta them, por nuk është ndonjë gjë. Është kënga “Më nga mu. Ja, është kënga që ti nuk e di që ekziston. Është një këngë që u bë në një periudhë tranzicioni artistik dhe nuk e kam shumë qejf dhe përzemër.
Ekziston edhe në Youtube, por nuk e këndoj. Nuk do ta kisha bërë kurrë atë këngë dhe e kam bërë edhe me videoklip, kam bërë një goxha investim. Videoklipi është shumë në rregull, por kënga nuk më ngjit. Është një këngë koti….”