Ditën e djeshme i është dhënë lamtumira e fundit reperit të njohur grek Mad Clip, i cili ndërroi jetë në një aksident tragjik.
Në ceremoninë mortore në Paleo Faliro mori pjesë edhe këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira.
Mes lotësh, artistja e famshme i dha lamtumirën kolegut dhe mikut të saj.
Ajo u shfaq në ceremoni mortore në kishën e Panagitsa, veshur me të bardha dhe mbante syze të zeza.
Kujtojmë se Eleni Foureira ishte në dasmë me Mad Clip, përpara aksidentit fatal.
Madje dyshja kënduan së bashku në dasmën e mikut të tyre të përbashkët këngën duel “Mporei”.
Reperi dhe këngëtarja argëtuan mysafirët disa orë përpara se të ndodhte tragjedia.
34-vjeçari Mad Clip po kthehej nga dasma dhe refuzoi refuzoi t’i ndalonte postbllokut të policisë.
Pasi kaloi katër semaforë të kuq, ai humbi kontrollin e mjetit të tij tip Porche duke u përplasur me një shtyllë e më pas me një pemë.
Aksidenti rezultoi fatal për jetën e tij. Mësohet se reperi, emri i vërtetë i të cilit ishte Peter Anastasopoulos kishte një pasion të “çmendur” për shpejtësinë dhe makinat e shpejta.
Shërbimeve zjarrfikëse iu deshën orë të tëra për të nxjerrë trupin e pajetë nga makina. Para aksidentit, i ndjeri kishte postuar në llogarinë e tij në Instagram sekuenca nga një dasmë ku kishte qenë i ftuar.