Prej kohësh përflitet për ndarjen e aktorit turk Can Yaman, nga prezantuesja italiane, Diletta Leotta. Megjithatë, çifti ka preferuar të qëndrojë në heshtje. Mungesa e Can në festën e ditëlindjes së Diletta-s, duket se në mënyrë të tërthortë i konfirmoi zërat e ndarjes. Por vetëm tani Diletta ka folur për këtë çështje në emisionin Verissimo, ku ka pranuar ndarjen, e megjithatë rrëfeu se është akoma e dashuruar.
"Me Can ishte një histori e bukur, një ëndërr, një përrallë, dashuri në shikim të parë," -tregon ajo, duke folur në kohën e shkuar, por duke përsëritur se ka akoma dashuri, edhe pse tani janë larg. "Ne jemi dy 30-vjeçarë që u takuam, e deshëm njëri-tjetrin, u përpoqëm të jetonim këtë pasion të madh. Ne të dy jemi shumë pasionantë, ndoshta ai edhe më shumë se unë, dhe ishte gjithçka shumë e shpejtë, shumë e bukur. Jeta reale është në anën tjetër të ekranit dhe kjo ishte e vështirë të mbahej intime."
Gjithçka dukej se ndodhi shumë shpejt në historinë mes saj dhe aktorit turk. Propozimi për martesë erdhi pas një muaji njohje. Sidoqoftë, nuk ishte një histori e studiuar dhe inskenuar, siç kanë menduar shumë. Këtë gjë Diletta Leotta e qartësoi për të gjithë.
"Kushdo që mendon se dashuria mund të programohet, planifikohet, nuk e di se çfarë është dashuria. Dashuria ndodh! Mua më ka ndodhur të dashurohem, nuk e di nëse u ka ndodhur ndonjëherë atyre që i thonë këto gjëra”, -u shpreh ajo.
Gjithashtu prezantuesja nuk e fsheh faktin që vazhdon të jetë e dashuruar.
"Kur je e dashuruar, humb qartësinë, humb sigurinë, humb mendjen, humb kontrollin, gjëra që nuk më kanë ndodhur kurrë më parë. Dhe ndonjëherë, gjithashtu humb dashurinë," -shprehet Diletta.
Ajo e mbylli duke thënë se për të ardhmen shpreson të gjejë një ekuilibër në jetën e përditshme me veten dhe pastaj t’ia japë këtë ekuilibër personit që do.
Me pak fjalë, dashuri ka akoma dhe si rrjedhojë shpresa për një ribashkim nuk është shuar.