Modelja e njohur Zana Krasniqi është e njohur nga të gjithë si një prej ikonave të bukurisë shqiptare jo vetëm brenda kufijvë tanë, por edhe jashtë tyre. Që kur ishte mjaft e re, Zana fitoi kurorën e bukurisë 'Miss Kosova 2008' dhe pas saj, edhe 'Miss Universe 2008'.
Pasi nisi një karrierë në fushën e modelingut në Amerikë, ku edhe punoi për një kohë të gjatë me fotografin e njohur Fadil Berisha, Zana u rikthye në vendlindje për t’iu përkushtuar jetës familjare e duke lënë pas krahëve modelen e jetën e pasarelave.
Sot, nënë e 4 fëmijëve, po aq e bukur sa edhe në moshën e saj të re, Zana guxon të jetë pjesë e një “pasarele” tjetër – shumë më e guximshme se modelingu.
E ftuar pasditen e sotme në “Rudina” në Tv Klan, Zana ndau për herë të parë me publikun disa detaje nga jeta private, sfidat e një nëne me 4 fëmijë, por edhe ambiciet e një politikaneje të ardhshme.
Zana ka vendosur të nisë një rrugëtim të ri në politikë, meqenëse po kandidon për të qenë anëtare në Komunën e Prishtinës, në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Zana rrëfeu se nuk ka qenë shumë e angazhuar për shkak të angazhimit dhe përkushtimit të fëmijëve, por për të është shumë e rëndësishme që ajo të mbrojë gratë dhe t’i mbështesë për çdo gjë përmes kësaj nisme që ka ndërmarrë.
Të qenë pjesë e një fushate elektorale, për Zanën është diçka e re, ndaj edhe nuk ka qenë shumë active, për shkak të familjes.
“Është pak e vështirë kjo pjesa e mitingjeve, sepse është diçka e re, nuk jam mësuar. Disa miq më thonë mos u bëj modeste, lype votën dhe unë i them që nuk di të lyp votën. Mirë po shkon për mua, por nuk jam duke bërë shumë fushatë, sepse normal nuk i kam shumë mundësitë, se fëmijët nuk i lë anash për asnjë gjë. Jam e angazhuar, por jo aq shumë sa duhet të isha.
Mesazhi im është që… Mundohem të cek gjithmonë gratë për gratë, sepse çështjet e mia lidhen gjithmonë me gratë. Po mundohem të takoj sa më shumë gra, të cilat po mundohem t’i mbështes, dhe të lyp mbështetjen e tyre, sepse mendoj që ne gratë fuqizohemi duke i ndihmuar njëra-tjetrës dhe duke e mbështetur njëra-tjetrën.” – tha ndër të tjera Zana Krasniqi.