Paloma dhe bashkëshorti i saj patën një takim në “Big Brother VIP”, pas rrëfimit të Palomës për betejën 8-vjeçare të bashkëshortit me alkoolin.
Gjatë një komunikimi me Monika Lubonjën gjatë javës, Paloma rrëfeu se për 8 vite me radhë, bashkëshorti i saj, Andreji, krijoi varësi nga alkooli. Ajo tregoi se kishte përjetuar netë të tëra pa gjumë dhe shqetësime.
Ajo gjithashtu u shpreh se kishte bërë denoncim në polici pas një episodi të vetëm të dhunshëm.
Pas transmetimit të rrëfimit të saj, moderatorja Arbana Osmani e ftoi në dhomën e rrëfimit, ku Paloma gjeti një statujë (që imiton atë të çmimeve Oscar) ku Andreji kishte shkruar “Për Palomën, aktoren më të mirë të ‘Big Brother’.”
Çfarë u duk si ironi në fillim, rezultoi që ishte një shaka mes të dyve, sepse pasi u përballën, ai i kërkoi të lexonte edhe pjesën tjetër, të cilën Paloma nuk e lexoi me zë të lartë.
Gjatë përballjes së tyre, bashkëshorti theksoi se ai moment i errët në jetën e tyre ka kaluar dhe falë mbështetjes së saj dhe familjes, përpos edhe terapisë, ai është si më parë. Andreji, i cili nuk e fshehu mërzitjen për faktin që Paloma ndau me të tjerët përjetimin e tyre personal, i kërkoi që të përqendrohej te gjërat e bukura që kanë kaluar.