Arma që aktori Alec Baldwin qëlloi në shesh-xhirim, duke vrarë një punonjëse, iu dorëzua nga një asistent-regjisor i cili i tha se ishte një armë e sigurt, tregojnë të dhënat e gjykatës.
Kinematografja Halyna Hutchins u qëllua për vdekje në gjoks në incidentin e së enjtes në xhirimet e filmit 'Rust'.
Regjisori Joel Souza, i cili qëndronte pas saj, mbeti i plagosur.
48-vjeçari mori mjekim urgjent për një dëmtim në shpatull dhe më pas doli nga spitali.
Detaje të mëtejshme të hetimit të policisë u publikuan të premten kur u dorëzua një urdhër kërkimi në një gjykatë në Santa Fe, New Mexico.
Aktori 63-vjeçar është marrë në pyetje nga forcat e rendit, por askush nuk është akuzuar për ngjarjen.
Më herët të premten, Baldwin - i cili ishte ylli dhe producenti i filmit - tha se:
“Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe pikëllimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe koleges tonë të admiruar thellësisht”.
Sipas policisë nuk ka asnjë akuzë të menjëhershme mbi aktorin dhe ai është i lirë të udhëtojë pavarësisht se hetimi do të vazhdojë të jetë i hapur.