Pritej të ishte një natë e këndshme me muzikë të mirë për fansat e tij, koncerti i reperit Travis Scott është kthyer në një tragjedi.
Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë kanë përfunduar në spital gjatë koncertit në “Astroworld Festival” në Hjuston, siç raporton Sky News. Turma ishte afruar më pranë skenës teksa Scott performonte në natën e hapjes. “Houston Chronicle” raporton se reperi ndaloi disa herë performancën 75-minutëshe pasi dalloi fansat shuëm afër skenës dhe i kërkoi sigurimit të ndihmonte njerëzit të dilnin nga turma.
Shërbimi lokal i zjarrfikësve dërgoi 17 persona në spitalet aty pranë, me 11 prej tyre që pësuan arrest kardiak, tha shefi i zjarrfikësve Samuel Pena, sipas Sky News. Pena shtoi se qindra të tjerë u plagosën dhe koncerti u ndërpre menjëherë pasi ndodhën përplasjet, duke e quajtur atë një “incident me viktima masive”. “Turma filloi të ngjishej drejt pjesës së përparme të skenës, dhe kjo shkaktoi panik”, tha ai, duke shtuar se “njerëzit filluan të binin, të humbnin ndjenjat dhe kjo e shtoi panikun”
Pamjet që qarkullojnë nga ngjarja tregojnë fansat që përpiqen të tërheqin vëmendjen e stafit të produksionit dhe të sigurisë për t’i treguar se diçka nuk shkonte. Shefi i policisë së Hjustonit, Troy Finner, ka kërkuar qetësi, duke thënë se njerëzit nuk duhet të nxitojnë dhe të dalin në përfundime se çfarë mund të ketë shkaktuar këtë ngjarje të rëndë. Zyrtarët thanë se nuk mund ta dinin menjëherë se cili ishte shkaku i vdekjeve, dhe viktimat ende nuk janë identifikuar.
Ndërkohë, vetë reperi nuk ka reaguar ende lidhur me këtë ngjarje të rëndë, edhe pse shumë media janë përpjekur të kontaktojnë me të.