Aktorja e famshme spanjolle, Penelope Cruz, ka zbuluar së fundmi se ajo dhe bashkëshorti i saj, aktori, Javier Bardem, nuk i lejojnë fëmijët e tyre të kenë akses në rrjetet sociale.
Në një intervistë dhënë për “CBS Sunday Morning”, Cruz, ka thënë se po përpiqet t’i mbajë larg mediave sociale, djalin e saj 10 vjeçar, Leon dhe vajzën tetë vjeçe, Lunan.
“Ka diçka që nuk ka kuptim dhe po prek veçanërisht brezat e rinj. Ndihem shumë keq për ata që janë adoleshente tani. Më duket sikur bota po i përdor për eksperimente. Nuk e di ku qëndron esenca e të ekspozuarit ndaj teknologjisë së moshave për shëmbull 12 vjeç”, ka thënë ajo.
Ylli i “Parallel Mother”, ka thënë se vetë ajo i përdor rrjetet sociale “në një mënyrë shumë të kujdesshme”.
Sipas, Cruz, edhe dukuria aktualisht shumë e shfaqur e bullizmit, zhvillimin më të madh e gjen pikërisht në mediat sociale.