Një video e animuar është publikuar dhe tregon skenën e vrasjes gjatë xhirimeve të filmit Rust tetorin e kaluar në Nju Meksiko. Animimi tregon momentin kur aktori Alec Baldwin qëllon për vdekje me pistoletë drejtoren e fotografisë Halina Hutchins.
Pamjet u publikuan nga avokati i familjarëve të 42-vjeçares së vrarë, të cilët njoftuan ngritjen e një padie për vrasje në kushte neglizhence ndaj Baldwin dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit të filmit. Padia mban nënshkrimin e bashkëshortit Matthew Hutchins, i cili e ngre atë edhe në emër të të birit 9-vjeçar të tyre.
Në padinë e pranuar nga prokurorët Santa Fe të Nju Meksikos, Baldwin dhe të tjerë akuzohen se nuk kishin kryer kontrolle për testimin e standardeve të sigurisë dhe se nuk kishin ndjekur rregullat më elementare të sigurisë në përdorimin e armëve.
Në padi thuhet se stafi shmangu procedurat që duheshin ndjekur për të garantuar sigurimin e jetës dhe se injoroi ankesat e shumta për këtë çështje. Familjarët kërkojnë dëmshpërblim, por pa specifikuar se çfarë.
Aktori 63-vjeçar dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të filmit janë ende nën hetim për vrasjen.