Elsa Lila do të rikthehet në Festivalin e 61-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar.
Ajo do të konkurroj mes 26 pretendentëve të përzgjedhur nga juria për çmimin e madh të festivalit. Pjesëmarrja e saj në këtë festival vjen pas 26-vitesh mungesë, kur në daljen e saj të fundit në skenën e këtij festivali, në vitin 1996, ajo u shpall fituese me këngën “Pyes Lotin”.
Këtë vit ajo do të rikthehet, me këngën e titulluar “Evita”. Artistja ka qenë muajt e fundit në vëmendje mediatike, duke qenë se është përfolur mbi përfshirjen e saj në botën e krimit të organizuar në Itali.
Ajo u lirua nga burgu vetëm së fundmi, pas akuzave në pjesëmarrjen e një bande italo-shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike, ku pretendohej se detyra e saj ishte ajo e mbajtjes së llogarive.
Këngëtarja ka publikuar një pjesë të këngës “Qan lulja për lulen” ku tregon se e ka kënduar në një koncert në Romë. Plot dhimbje artistja falënderon ndjekësit për mbështetjen që i kanë dhënë. Sakaq Elsa thekson se këtë këngë ia ka kënduar gjyshi i saj kur ajo ishte e vogël.
“’Qan lulja per lulen’, live ne nje koncert timin ne Rome!❤️ Faleminderit nga zemra plot dhimbje qe më keni dhënë mbeshtetje dhe dashuri!!!Kjo eshte nje kenge tradicionale qe me ka kenduar gjyshi kur kam qene e vogël. Uroj te gjitheve nje dite te mrekullueshme, ashtu sic meritoni të keni gjithe jeten!”,– shkroi këngëtarja krahas videos së publikuar.