Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë “zakon” huqjet e shpeshta në rrjetet sociale.
Ai ka publikuar gjatë ditës së shtunë në rrjetin social Facebook disa fotografi të një çante të nxjerrë në treg nga marka franceze e modës “Louis Vuitton”, e dizajnuar me simbole të flamurit kombëtar.
“Çanta e re e shtëpisë së madhe të modës Louis Vuitton, flamuri më i bukur në botë”, shkroi kryeministri shqiptar në mbishkrimin e këtyre fotografive.
Në fakt, kjo çantë nuk është e re, pasi ajo është hedhur në treg me këtë dizajn nga shtëpia franceze e modës afro katër vite më parë.
Një gjë e tillë ishte njoftuar nga faqja e shitjeve, HighsNobiety, e cila u kishte treguar vizitorëve se mund ta porosisnin këtë çantë dore për 9900 dollarë apo afro 9300 euro.
Por kjo nuk është huqja e vetme e tij për këtë vit, pasi ky gabim vjen vetëm një javë pas një gabimi amatoreskt të Edi Ramës po në rrjetin social Facebook.
Në minutat e para të fillimit të Vitit të Ri 2023, Rama publikoi në rrjetin social Facebook një fotografi të foshnjës së parë të ardhur në jetë gjatë këtij viti në Shqipëri.
E teksa e bëri njoftimin, ai ia huqi me shkrimin e saktë të orës, pasi shkroi orën “12:00” – ndërkohë që një e tillë nuk përdoret në asnjë moment për të shkruar kohën së cilës i referohej kryeministri, e që ishte periudha pas orës 00:00.