Artistja shqiptare me renome botërore, Bebe Rexha, është duke shijuar suksesin e albumit të saj më të ri, “Bebe”, të cilin e publikoi më 28 prill.
Albumi ka gjithsej 12 këngë, tri prej të cilave janë bashkëpunime shumë të suksesshme me emrat e njohur si: David Guetta, Snoop Dogg dhe Dolly Parton.
Rexha ka qenë e zënë gjatë këtyre ditëve duke promovuar albumin në dalje të ndryshme televizive dhe radiofonike.
Në një intervistë të fundit për emisionin Etalk, 33-vjeçarja ka folur në detaje për albumin e fundit, teksa në një moment është ballafaquar me një pyetje të çuditshme nga gazetari.
“A je e vetëdijshme se sa shumë të duan homoseksualët ty?”, u pyet këngëtarja, e cila ngeli e shtangur fillimisht.
“A po bën shaka me mua? Unë bëj muzikë për të gjitha vajzat dhe homoseksualët. Dua të them jam e nderuar dhe unë jam një fanse e atyre që e duan veten dhe unë dua të mbështes komunitetin e homoseksualëve aq shumë sa mundem sepse ndjej sikur ata më mbështesin mua shumë dhe unë do ta them prapë, ‘ti e bën këtë për vajzat dhe homoseksualët’”, tha Rexha.
Përveç albumit, ajo do të nisë më datën 31 maj edhe një turne muzikor të titulluar “Best F*ckin Night Of My Life”, fillimisht në Shtetet e Bashkuara e më pas edhe në Evropë.