Reperi Travis Scott tha se ishte “shumë i shkatërruar” nga tragjedia e festivalit Astroworld, ku vdiqën 10 njerëz në një shtypje të turmës.
Qindra të tjerë u plagosën në koncertin në Houston të Teksasit më 2021.
Në intervistën e tij të parë që nga incidenti, Scott tha për GQ Magazine: “Unë gjithmonë mendoj për këtë. Ata fansa ishin si familja ime. E dini, unë i dua fansat e mi maksimalisht”, tha ai.
10 viktimat, të moshave nga nëntë deri në 27 vjeç, vdiqën nga asfiksia kompresive teksa turma, e cila kishte mbi kapacitetin, po shtyhej drejt skenës.
Scott dhe reperi Drake – i cili u shfaq në skenë si i ftuar special – u kritikuan gjerësisht për vazhdimin e performancës së tyre, teksa ambulancat dhe pjesëmarrësit e koncertit trajtuan viktimat.
Në qershor, një juri e madhe e Teksasit refuzoi të padisë Scott-in për çdo akuzë penale në lidhje me koncertin.
Një hetim i policisë së Hjustonit zbuloi se organizatorët e festivalit kishin paralajmëruar për pasoja vdekjeprurëse përpara shfaqjes.
Rasti i parë i vdekjes së padrejtë është caktuar për gjykim në maj 2024.
Scott i tha GQ-së se në këngën e tij të fundit “My Eyes” përfshin një varg në të cilin ai i referohet tragjedisë Astroworld.
Scott tha se donte që njerëzit “të dinin që edhe unë kam dhimbje” kur e dëgjojnë këngën.