Grupi britanik “Mirror” është urdhëruar të paguajë 140.600 funte (rreth 179.000 dollarë) si dëmshpërblim ndaj Princit Harry pas përfundimit të një gjyqi ku kompania u akuzua për “hakim telefoni dhe marrjen e paligjshme të informacionit privat”.
Vendimi i padisë së Harryt u dha në seancën përfundimtare të Gjykatës së Lartë. Gjykata tha se midis viteve 2003 dhe 2009, telefoni i Harryt, djalit më të vogël të mbretit Charles dhe princeshës së ndjerë Diana, ishte shënjestruar nga grupi, duke çuar në marrjen e paautorizuar të informacionit të tij personal.
U zbulua se dy drejtorët e grupit, përkatësisht Paul Vickers dhe Sly Bailey, ishin në dijeni të praktikës së hakimit të telefonit, sipas mediave britanike.
Vendimi, i cili do të ketë implikime të gjera për peizazhin e medias britanike, zbuloi shtrirjen e hakimit "të gjerë" të telefonit nga gazetat e grupit “Mirror” që përfshinte nga 2006 deri në 2011.
Gjyqtari Fancourt, që kryesonte çështjen, deklaroi se përdorimi i hetuesve privatë për marrjen e informacionit në mënyrë të paligjshme ishte një "pjesë integrale e sistemit" gjatë periudhës së specifikuar, madje duke u shtrirë në hetimin e Leveson 2011-2012 për standardet e medias.
Pas vendimit të gjykatës, Harry, 39-vjeç, shprehu kënaqësinë, duke e përshëndetur vendimin si një "ditë të madhe për të vërtetën dhe përgjegjshmërinë". /AA