Reality-show "Big Brother VIP" në Kosovë do të mund të shikohet në platformat televizive me kod sikurse ndodh me filmat për të rritur. Ky vendim është marrë sot nga 'Komisioni i Pavarur i Mediave' ku është miratuar ndryshimi i Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.
Kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti ka thënë se është bërë vetëm plotësim ndryshimi i rregullores me qëllim të mbrohen fëmijët nga përmbajtjet që ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor e moral.
Ai ka thënë se tashmë edhe bërë përkufizimi i qartë edhe se çfarë cilësohet dhunë si dhe janë bërë kategorizimi se cilat programe janë të përshtatshme për fëmijë e cilat jo.
“Mbrojtja e fëmijëve nga zhanret e reja televizive të emëruara si “reality show”. Mund të ndikojnë në gjuhën e tyre, sjelljet e tyre. Të gjitha programet “reality show” duhet të jenë të koduara”, ka thënë Mehmeti, në mbledhjen e 12-të të KPM-së.
Ai ka thënë se besojnë se programet e tilla mund të minimizojnë çfarëdo ndikimi negativ që mund të kenë te fëmijët. Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha ka thënë se rregullorja është shume e avancuar dhe do t’i mbrojë fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme.