Nikoqiri i spektaklit ‘Prime’ të Big Brother VIP Kosova, Alaudin Hamiti ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), i cili ka vendosur që programet Big Brother VIP Kosova 1 dhe Big Brother VIP Kosova 2, tanimë të jenë të qasshme vetëm me kod – duke i klasifikuar kështu si programe për të rritur, me pullë të kuqe.
“Komisioni i Pavarur për Media, i cili ka vendosur që të kodohet tipi i programeve argëtuese ‘reality show’, në këtë rast, Big Brother VIP Kosova. Dhe për pasojë, ky veprim është në një rrugë në kundërshtim me praktikat e shteteve evropiane, që këto formate i klasifikon në kategorinë e filmave për të rritur apo me pullë të kuqe”, ka thënë Hamiti.
“Kjo rregullore dyshojmë se ka për tendencë që t’i përmbushë kërkesat e grupeve të interesit të caktuar më shumë sesa ato politike. Licenca për këto emisione është ndërkombëtare, dhe deri më tash në asnjë shtet pro perëndimor nuk aplikohet kodimi”, ka shtuar Hamiti.
“Ndonëse Klan Kosova ka paraqitur argumente gjatë gjithë diskutimit publik, për mos vendosjen e kodit, asnjë nga argumentet nuk janë marë për bazë nga KPM. Vetëm dua t’ua rikujtoj që po hymë në vitin 2024, e jo në vitin e 1994”, ka përfunduar ai.