Një nga aspektet më shqetësuese të mediave sociale është se çdokush, pavarësisht nga kualifikimet apo njohuritë, mund të krijojë aludime, përhapë thashetheme, apo akoma më keq të çojë qindra-mijëra njerëz drejt fake-news. Kjo bëhet edhe më shqetësuese nga fakti se një numër i konsiderueshëm i njerëzve besojnë atë që lexojnë në internet sikur të ishte gjithmonë e vërtetë.
Një aludim sado i vogël mund të ngrejë shtylla të tëra të një historie të rreme me protagonistët që as nuk janë në dijeni të kësaj historie. E kështu duket edhe historia e fundit që po ngrihet orët e fundit rreth Luana Vjollcës dhe Arbana Osmanit.
“Karma e ka merituar një “Gëzuar””-shkroi Luana në një postim dhe shumë media gëluan: E ka me Arbanën!

Sa deluzionalë mund të jemi? Karma është një aspekt shumë i gjerë dhe Luana mund t’i drejtohet çdokujt. A ka një lidhje reale mes karmës, Arbanës dhe Luanës?
Sipas fjalëve që qarkullojnë, thuhet se Luana ka dashur të moderojë BBV1, vend ky që më vonë u zu nga Arbana, ndërsa Luana u largua nga “Top-Channel”. Dhe tani gojët e liga thonë se moderimi i BBV3 nga Ledion Liço konsiderohet si “karma” nga Luana.
Fillimisht, ne nuk e dimë se sa e ka dashur Luana “Big Brother”. Së dyti, nuk e përcakton Arbana kush moderon BBV. Së treti, nuk e dimë nëse Arbana ka hequr dorë vetë nga BBV këtë vit.
Lidhja mes famës dhe aludimeve të tilla është pothuajse e pashmangshme. Emra të tillë të rëndësishëm në media janë vazhdimisht në sy të publikut dhe ndikimi i tyre i gjerë do të thotë se çdo histori e lidhur me ta, e vërtetë apo e rreme, ka potencialin të bëhet virale dhe të gjenerojë klikime. Por, me çfarë kostosh? Dezinformim, shpifje dhe krijimin e narrativave të pavërteta.
Le t’i shmangim të tilla skenare dhe t’i japim më shumë peshë rolit të mediave online në Shqipëri, për të fituar respektin dhe besimin e duhur nga lexuesit.