Këngëtari shqiptar, Labinot Tahiri u përlot shumë nga fjalët e djalit të tij, përgjatë emisionit Sol të Klan Kosovës.
Eltoni, djali i tij, i ka shkruar atij një letër, me fjalët më të përzemërta për të.
Nga ato që kishte shkruar Eltoni, u vërejt se Labit nuk i kishin ndryshuar dy gjëra specifike për familjen e tij, sakrifica pa hezitim dhe dashuria e pashtershme për ta.
Më poshtë gjeni letrën e plotë të Elton Tahirit:
“I dashur baba, shok, engjëll mbrojtës
Ke shumë tituj madhështorë për mua. Një ditë isha duke menduar se kush ke qenë dhe kush je, edhe duke i menduar vitet me radhë shoh se dy gjëra nuk kanë ndryshuar kurrë, sakrifica pa hezitim dhe dashuria e pashtershme për ne.
Si gjithmonë kur nisi me shkrua për ty gjej shume te vetja dhe shoh që gjatë gjithë jetës modeli im ke qenë gjithmonë ti.
Është e çuditshme se shoh çdo ditë e më shumë kam filluar të të ngjaj ty. Sa interesante është për mua, Edin e Zanën që as ne vet nuk të kemi kuptuar ndonjëherë. Shpeshherë e kemi pyetur mamin se pse babi po vepron kështu dhe e shih që shumë herë na ke mbrojtur nga shumë gjëra që as ne vet nuk i dinim.
E tash që jam në një moshë madhore e shoh se pse ke qenë ashtu.
Uroj që edhe unë të jem një baba për fëmijët e mi, ashtu siç ke qenë edhe ti me neve.
Po e përfundoj këtë letër, sepse nëse vazhdoj me shkru me siguri do të përfundojë me një libër.
Të them një gjë baba, mos u pendo për asgjë në jetë, se shkaku i të gjithë gjërave që ke kaluar, sot je ai që je dhe ne jemi aty ku duhet të jemi, në një shtëpi me plot dashuri e harmoni dhe kjo është meritë vetëm e jotja”.