Çfarë gjej te burrat më të mëdhenj (+30) që nuk e gjej te djemtë e rinj

Mediale Vip

Çfarë gjej te burrat më të mëdhenj (+30) që nuk e gjej te djemtë e rinj

Më: 16 shtator 2024 Në ora: 22:43
Rosie Huntington-Whiteley , Jason

Ju ka ndodhur ndonjëherë të shihni Rosie Huntington-Whiteley dhe Jason Statham dhe të thoni: “I want what they have.” Në fakt të jem më e saktë dhe konkrete, dua çfarë Rosie ka, një burrë si Jason. Dhe jo, nuk është sepse ai ka një trup që duket sikur ka pasur Hulk personal trainer.

‘Po hë, për çfarë për pasurinë? Se vdisni ju gocat sot për sugar daddies.”

Nëse keni nerva ta lexoni deri në fund, do kuptoni se ka faktorë të tjerë që me kalimin e moshës po më bëjnë të preferoj burrat më të mëdhenj, krahasuar me bashkëmoshatarët e mi.

Fillojmë nga siguria emocionale. Kur një burrë është më i madh në moshë, shpeshherë është më i qetë emocionalisht, më i përmbajtur dhe nuk krijon drama. A ka gjë më stresuese se një i dashur që pret t’i përgjigjesh mesazhit në sekond? “Çpb”, “Ku je?”, “Më co një foto”. Bruh, më i lodhshëm se 12 orë punë.  

Një burrë më i madh në moshë nuk bën cirqe të tipit “Nuk e di, ku do ti të shkojmë?”. Ai e ka në kokë vendin dhe kohën dhe gjithçka që i duhet nga ti është një “po”. Sa më të mëdhenj të jemi, aq më të pjekur jemi emocionalisht. Të presësh që një 25-vjeçar të dijë se kush është realisht, çfarë do të bëjë, tingëllon sikur është shumë. Jo se gjithë djemtë e rinj nuk janë me këmbë në tokë dhe të vetëdijshëm, por ky proces është ciklik. Në të 30-at njerëzit janë një version më i mirë i atyre që ishin në të 20-at. E kështu me radhë.

Ai nuk ka kohë për lojëra. Gjithçka që bën do të jetë e gjitha për ty, të respekton plotësisht dhe të trajton më mirë se kushdo tjetër në moshën tënde. Ai i ka kaluar të gjitha, zemra, dhe e di saktësisht se çfarë do. Ai nuk do të të bëjë të ndihesh e paqartë për veten, siç ndodh me djemtë më të rinj. Ata janë ende në fazën e kërkimit dhe eksperimentimit dhe mund të të bëjnë të ndihesh si një opsion në vend të një prioriteti. Një mashkull më i madh, nga ana tjetër, ka mësuar të vlerësojë dhe të mbajë lidhjet që kanë rëndësi të vërtetë.

Në rast se nuk e keni kuptuar, të njëzetat janë disi delikate. Është një mix i pandërprerë ankthi, pasigurie dhe vetë-zbulimi. Dikush që e ka kaluar këtë prefiks, i ka kaluar edhe këto sfida. Dhe tani ti mund të mësosh prej tij.

Ai ka vite që punon dhe ka ndërtuar karrierën e tij. Me gjasa ka pasur më shumë shefa të tmerrshëm, punë të lodshme dhe ndryshime në karrierë sesa mund ta imagjinosh. Ndaj mund të të ndihmojë në karrierë dhe të përkrah në hapat që do të hedhësh. Jo vetëm prej eksperiencës, por edhe sepse i ka vënë gjërat në vijë dhe tani ka kohë për ty.

Nuk rri 8 orë në TikTok, 5 në Instagram, 12 në PubG. Po, ai mund të ketë rrjete sociale, por nuk është i varur prej tyre. Telefoni i tij nuk është vetëm një zgjatim i dorës së tij sepse është rritur në një periudhë kur rrjetet sociale nuk përdoreshin kudo.

Ai mund të pijë alkool çdo natë pa qenë i alkoolizuar Burrat e mëdhenj mund të pinë vodka martini çdo natë pa ju marrë mend, pa folur kot dhe mbi të gjithë ti s’do kesh pse t’ia mbash kokën për të vjellë.

Është më i mirë në shtrat. Ashtu si vera, bëhen më të mirë me kalimin e moshës. “Practice makes perfect.”-thotë një shprehje amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat