Ish-reperi i njohur Fero, emri i vërtetë i të cilit është Feronit Shabani, ka bërë një thirrje publike të hënën përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Compass”, duke kërkuar ndihmë dhe duke shprehur shqetësimin për gjendjen e tij psikologjike dhe situatën e vajzës së tij.
Sipas tij, sot ka ndodhur një ngjarje shqetësuese, pasi vajza e tij është kidnapuar nga institucionet përgjegjëse.
Fero deklaroi se Enti Social e kishte njoftuar që të shkonte për të marrë vajzën në orën katër pasdite, por kur arriti në vendin e caktuar, nuk iu dha asnjë informacion për vendndodhjen e vajzës.
“Unë, si prind, po përjetoj padrejtësi të mëdha. Ka kohë që nuk më respektohen vendimet gjyqësore dhe nuk më lejohet të shoh vajzën time. Vajza udhëton në shtete të ndryshme pa lejen time, pa më informuar ku ndodhet. Sot, më është thënë se vajza ka ikur dhe nuk po marr asnjë informacion për të”, tha Fero.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për gjendjen e tij emocionale, duke thënë se padrejtësitë që po përjeton e kanë shtyrë në një situatë të rëndë. Fero shpjegoi se ka frikë të flasë hapur për ato që po përjeton, nga frika se prokuroria mund të hakmerret dhe t’i heqë edhe ato pak ditë që i ka për të parë vajzën e tij.
“Po bëj një thirrje për Prokurorinë e Gjilanit, veçanërisht për prokuroren që e ka rastin tim. Nuk po di si ta shpjegoj ndryshe që jam në një gjendje shumë të rëndë. Çka ndodh nëse unë nesër nuk mund t’i kontrolloj emocionet e mia?”, përfundoi ai me shqetësim.