Georgina Rodriguez është rikthyer në ekrane me një sezon krejt të ri të “reality show-t” të saj në Netflix, “I Am Georgina” – dhe këtë herë, në qendër të vëmendjes është shpërngulja e familjes së saj në Arabinë Saudite.
Influencerja 30-vjeçare, ka folur lidhur me hapin e ri që do të ndërmerrte Cristiano Ronaldo për t’u shpërngulur nga Mançesteri.
Georgina e ka ndjekur Ronaldon me karrierën e tij të futbollit nga Madridi në Torino, në Mançester dhe tani në ekipin arab Al Nassr.
Ata u shpërngulën në Arabinë Saudite, kur ylli portugez nënshkroi një kontratë prej miliona dollarësh dhe u largua nga ekipi anglez Manchester United.
“Kur Cris më tha se do të luante për Al Nassr, u lehtësova shumë sepse isha gati të largohesha nga Mançesteri”, tha Georgina në dokumentarin e saj.
“E dija që na priste diçka e madhe dhe ishim shumë të motivuar. Isha shumë e lumtur të vija në Arabinë Saudite”.
Ajo potencoi se gjithçka ndodhi shumë shpejt, dhe çifti madje nuk kishin as shtëpi, që do të thotë se ata duhej të qëndronin në një hotel për një muaj.
“Në fillim kam përjetuar disa ulje-ngritje, sepse nuk kishim jetuar kurrë në hotel për kaq shumë kohë”, tregoi influencerja.
“Kishte ditë që nuk doja që askush të më shihte, por në përgjithësi isha e emocionuar”.